Opinion nga Luan SHPUZA
Dëgjova dje në një konferencë për shtyp të fliste futbollisti i Vllaznisë Ilir Nallbani. Në rradhë të parë, ajo që më shqetësoi është fakti se si ka mundësi që një lojtar i cili është rezervë del e flet me shumë pasion për këtë skuadër. Pikërisht për këtë më lindi pyetja: Çfarë të drejtet ka ky futbollist të flasë në emër të ekipit? E them këtë sepse mendoj se këtij futbollisti i ka mbaruar cikli i tij dhe nuk e justifikon aspak blerjen dhe shpenzimet që bëhen për të.
Për më tepër, ajo që më ngriti edhe më tepër nervat ishte deklarata e tij se kosovari tjetër që luan për Vllazninë- Rexha, do shënonte shpejt!!! Mesa duket ky Nallbani ban edhe sekserin edhe menaxherin tek Vllaznia se ndoshta ka lidhje me drejtuesat e saj sepse nuk shpjegohet ndryshe kjo gjë. Janë larguar nga skuadra futbollistë shkodranë si Hasani, Gocaj, Sykaj, Boci, Rraboshta, Marku, Vucaj, Rexha që luan me Tomorin, portieri Selimaj pikërisht për t’u bërë vend këtyre lojtarëve që nuk po tregojnë asgjë. Me shumë mundësi edhe drejtuesit e Vllaznisë janë përlyer në këtë merkato teksa gjysma e lojtarëve të marrë gjatë merkatos së verës po rezultojnë të skarcuar. Prandaj i bëj thirrje mikut tim, administratorit të ri të Vllaznisë, ekonomistit të zotë Fatos Gjyrezi t’i hapë mirë të gjitha letrat për të nxjerrë gjithë ato poshtërsi që mund të jenë këto dy vite tek Vllaznia. Nuk duhet lejuar më të veprohet kështu. Harxhohen paratë e taksapaguesve shkodranë pa kriter duke sjellë lojtarë pa asnjë nivel në skuadër të cilët janë poshtë nivelit të lojtarëve të dalë nga Akademia Vllaznia si Guri, Kruja, Bardulla, Lekaj, Markolaj, Dema, Karakaçi, Erkoçeviç, Tafa, Djepaxhia, Puka, Hotaj, Rusi etj. Ajo që sugjeroj unë është që në janar duhet një reformë e thellë në skuadër dhe duhet më tepër shkodranizim. Jam plotësisht dakord me dy emra të mirënjohur të futbollit shkodran si Sabah Bizi dhe Hysen Zmijani që ngrenë zërin për uljen e numrit të futbollistëve joshkodranë në skuadër sepse kështu nuk mund të vazhdohet.