Vllaznia kërkon të ndryshojë kurs. Synimi është të lërë pas të gjitha problemet e 2022-it dhe të rikthehet me fitoret në 2023-in, duke luftuar për titullin kampion, pse jo edhe për ta fituar.

Gjithsesi, në fundjavë skuadra do të përballet me Partizanin, një ekip i cili në fazën e parë i ka mundur në “Loro Boriçi”. Në fakt, grupi nuk është krejt i plotë në organikë, pasi ka disa shqetësime. Latifi dhe Bulatoviç janë pikërisht shqetësimet e Josës. Ata po kalojnë disa dëmtime të forta, por pritet të marrin veten dhe të jenë të gatshëm deri në fund të janarit.

Kosovari vazhdon me problemet në kavilje, që e shqetësojnë prej vitit të shkuar. Ndërkohë, edhe sot Bulatoviç po stërvitej veçmas. Edhe Shehi e ka kaluar tashmë problemin me dëmtimin dhe mund të jetë gati si titullar.

Ndërkohë nga ana tjetër, ndeshja me Partizanin mund të sjellë ndryshime në ekipin që do të luajë nga minuta e parë. Reparti, i cili do të jetë me ndryshime, pritet të jetë mbrojtja. Në qendër të mbrojtjes, në krah të kapitenit Gurishta, i cili do të jetë i spostuar nga pozicioni natyral i tij, titullar do ta nisë nga minuta e parë Dajan Shehi.
Maringlen ZHIVANI