Te Vllaznia nuk ka vend për “pleqtë”. Të paktën, kjo shikohet gjatë këtij sezoni, duke u bazuar te largimet dhe afrimet e merkatos së verës.

Kështu, bëhet fjalë për një zgjedhje të vetë trajnerit Mirel Josa, por edhe të politikave të klubit, të cilët duket se duan t’u japin plotësisht dorën futbollistëve që janë në fillim ose së paku në kulmin e karrierës së tyre.

Këtë vit, te shkodranët nuk do të ketë asnjë futbollist që i ka mbushur maksimumi 35-vjeç, pasi të gjithë janë nën këtë moshë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se në skuadër mungon eksperienca, sepse një pjesë e mirë e futbollistëve janë në kulmin e karrierës së tyre dhe kanë vite që luajnë futboll profesionist në nivele të larta.

“Shkodra Sport” u ka bërë një vëzhgim të hollsishëm futbollistëve aktual, që janë pjesë e Vllaznisë së këtij sezoni dhe bie në sy një moshë mesatare relativisht e re për futbollistët, vetëm 25.0.

Në fakt, nuk ka asnjë 35-vjeçar në ekipin e këtij sezoni, ku dy më të “moshuarit” janë vetëm 33-vjeç, portieri Bojan Zogoviç dhe Darko Bulatoviç. Mbrojtësi malazez do të mbushë 33-vjeç, në datën 5-shtator, me të tjerët që vijnë me rradhë. Pas tyre, janë të gjithë me një moshë më të vogël, me Krujën 29-vjeç dhe Latifin e Hoxhajn, 28-vjeçarë.

Kapiteni Erdenis Gurishta, Marko Juriç dhe Lorik Boshnjaku janë tre 27-vjeçarë, teksa vijon pas tyre Fjoart Jonuzi dhe Herald Marku, 26-vjeçarë. Lista vazhdon me pesë 25-vjeçarë, siç janë Shehi, Hakaj, Heriç, Aralica dhe Nunesh. Edhe fantazisti shqiptaro-malazez, Kristijan Vulaj, është vetëm 24-vjeç.

Ndërkohë, aktualisht në skuadër janë së paku shtatë futbollistë të konfirmuar që i përkasin datëlindjes pas viteve 2000.

Kështu, bëhet fjalë për Çobën, që është 22-vjeç. Poashtu, edhe për portierin Qarri dhe mbrojtësin Shimaj, që janë rrespektivisht 21-vjeç. Ndërkohë, në moshën 20-vjeçare, janë mbrojtësit Paloka dhe Smajli. Dy me të rinjtë, në moshën 19-vjeçare, janë mesfushorët Alivoda dhe Pjeshka.

Në njëfarë mënyre, kjo statistikë e veçantë tregon që në Shkodër kanë filluar të ndryshojnë kurs, që t’u besojnë të rinjve. Vetëm dy futbollistë janë mbi moshën 30-vjeç, pikërisht dyshja malazeze Zogoviç dhe Bulatoviç, teksa mosha mesatare e ekipit të Vllaznisë prej 23-futbollistësh, është 25.0.

Maringlen ZHIVANI