Dje u njoftua ndryshimi i datës së derbit, Tirana-Partizani. Sfida që mund të vendosë skuadrën kampione të këtij edicione në “Abissnet Superiore” u spostua të martën e 16 majit në orën 18:30 në stadiumin “Air Albania”.

Por pavarësisht dëshirës së madhe të FSHF-së dhe dy klubeve që kjo ndeshje të luhej të martën, ka qenë policia e shtetit ajo që nuk ka marrë përsipër organizimin e ndeshjes, pasi të dielën zhvillohen zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe forcat blu do të jenë të impenjuara në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend për më shumë se 48 orë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Për rrjedhojë, derbi i madh i kryeqytetit, sfida Tirana-Partizani është spostuar sërish të mërkurën e 17 majit, në orën 18:30 në stadiumin “Air Albania”. Edhe 4 sfidat e tjera të javës së 33-të do të luhen në orën 15:00 ditën e mërkurë, ashtu siç ishin programuar që në fillim.

Kujtojmë që kur kanë mbetur edhe 4 javë nga përfundimi i kampionatit, gara për titullin kampion është më e hapur se kurrë, pasi kryesuesit e Tiranës (59 pikë) kanë vetëm 2 pikë më shumë se rivalët e Partizanit (57 pikë). Një fitore e bardhebluve do të mbyllte diskutimin për titullin, ndërsa një sukses i “demave” do të afronte këta të fundit me trofeun e lakmuar.

E ashpër është gara edhe për një vend në Kupat e Europës dhe lufta për mbijetesë. Rivaliteti dhe spektakli në Superiore është i garantuar në këto javë të mbetura dhe të gjitha takimet e kampionatit mund ti ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport. /Oversport/