Bruno Telushi i ka dhënë lamtumirën futbollit azer, teksa klubi i Neftçi Baku, me të cilin u shpall kampion, ka zyrtarizuar vendimin që të mos rinovojë kontratën e mesfushorit shqiptar, pasi nuk e cilëson pjesë të rëndësishme të projektit për të ardhmen.

Telushi braktisi Kukësin pak ditë pasi kishte firmosur me të, për t’iu bashkuar klubit të Neftçi. Por kjo aventurë nuk ka shkuar siç shpresonte ai, pasi ka luajtur pak ndeshje në kampionat e në Kupë, duke mos pasur thuajse asnjëherë një rol protagonisti në ecurinë e shkëlqyer të klubit të tij.

Klubi zyrtarizoi në faqen e vet të internetit lamtumirën e Telushit, duke bërë të qartë se nuk ishte rinovuar kontrata e tij, e kësisoj, mesfushorit do t’i duhet që të gjejë një sistemim të ri për vijimin e karrierës.

Për të në të kaluarën është interesuar klubi i Zira, po në kampionatin azer, por nuk përjashtohet edhe mundësia e kthimit në Superiore, me klube të ndryshme që do të ishin gati të pritnin krahëhapur “ushtarin” i cili ka bërë mirë në vendin tonë si me fanellën e Flamurtarit, ashtu edhe të Partizanit. /vipsport/