Vllaznia ka nisur që nga dita e mërkurë një fazë përgatitore në Bosnje-Hercegovinë dhe më konkretisht në kampingun e Medjugorjes. Megjithatë, ekipi kuqeblu gjatë këtyre ditëve atje ka hasur në një problematikë tepër të madhe për zhvillimin e fazës përgatitore.
Kështu, temperaturat e larta janë kthyer në një tmerr për ekipin dhe futbollistët e tij që nga dita kur kanë mbërritur atje. Termometri e ka kaluar 35-gradë në kampingun e Medjugorjes dhe natyrisht që, temperaturat e larta janë kthyer në një pengesë të madhe për ekipin kuqeblu që të marrë ngarkesën e nevojshme nga trajneri Migen Memelli.
Megjithatë, pavarësisht pjesës së temperaturave, e cila normalisht është kryesorja në një fazë përgatitore, kushtet tjera duhet thënë se kanë qenë shumë të mira, duke nisur nga fusha, hoteli dhe ushqimi që u është shërbyer futbollistëve.
Realisht, duke patur disa mundësi të tjera në dispozicion, mund të ishte bërë një zgjidhje tjetër më e mirë për fazën përgatitore, por duket se drejtuesit e KF Vllaznia e kanë menduar ndryshe.
Maringlen ZHIVANI