Rikthehet qetësia te Kukësi. Vetëm një ditë ka zgjatur bojkoti i lojtarëve për rrogat e pamarra, teksa ditën e djeshme ekipi është kthyer në fushë.

Bisedimet midis klubit dhe tyre mesa duket kanë bërë që të gjendet akordi dhe lojtarët të zbresin në fushë për të nisur përgatitjet në kuadër të ndeshjes së radhës ndaj Kastriotit.

Futbollistët pretendonin se kishin tri rroga të pamarra, praktikisht nuk ishin paguar këtë sezon.

Pasi kishin konsumuar të gjitha format e tjera të diskutimeve me drejtuesit, e panë bojkotin se mundësinë e vetme për t’u dëgjuar.

Dhe në njëfarë mënyre ky bojkot ia arriti qëllimit, sepse lojtarëve iu premtua se do të likuidohen për çdo detyrim të prapambetur.

Gjithsesi, klubi nga ana tjetër ka kërkuar patjetër reflektim që në ndeshjen e radhës ndaj Kastriotit dhe deri te të gjitha sfidat e mbetura për këtë vit.

Megjithatë, pavarësisht se gjërat po futen në rrugë të drejtë, situata e ditëve të fundit tregoi se në kampin verilindor nuk është aq e qetë, gjë që është reflektuar edhe në rezultatet e javëve të fundit.

PËRGATITJET – Me rikthimin e ekipit në fushë, kanë nisur edhe përgatitjet për përballjen e radhës, atë ndaj Kastriotit që do të luhet në stadiumin e Kamzës.

Tekniku Dobi shpreson që të ketë në formën optimale të gjithë lojtarët, teksa për momentin shqetësim ka shfaqur vetëm sulmuesi i krahut, Jakup Berisha, i cili ka munguar në dy ndeshjet e fundit për arsye dëmtimi.

Pjesa tjetër e lojtarëve duket se janë të gatshëm, teksa skuadrës do t’i rikthehet nga pezullimi edhe mbrojtësi Edison Ndreca.

RËNDËSIA – Për verilindorët ndeshja me krutanët është tepër e rëndësishme, sepse një tjetër hap fals mund të komprometonte edhe më tej ecurinë e tyre në kampionat.

Mbetet për t’u parë nëse do të vijë menjëherë kthesa për blutë, teksa kualitetet nuk i mungojnë në skuadër.

Në ndeshjen e parë verilindorët janë mundur në shtëpi në shifrat 2-1, ndaj do të përpiqen t’i kthejnë reston dhe të futen në shinat e duhura.

Vlerësimi për këtë përballje është maksimal, sepse Kukësi vjen pas tri humbjeve radhazi në kampionat, duke humbur shumë terren me kreun dhe vënë në rrezik edhe mbijetesën në elitë.