Atleti Izmir Smajlaj doli i pari dje në garën e Kupës së Shqipërisë për kërcim në gjatësi. Megjithatë gjithçka shkoi keq në provën e pestë, kur Smajlaj provoi të vendosë rekord. Në shtëpinë tij, stadiumin “Loro Boriçi”, atleti që përfaqëson Tiranën u mundua të japë gjithçka.

Në kërcimet e para ai arriti deri në 7.87 metra, me të cilat fitoi vendin e parë, por kur arriti në kërcimin e pestë ai u dëmtua duke u munduar të vendosë një gjatësi më të mirë. Smajlaj ka njoftuar së fundmi në rrjetet sociale se ka pësuar këputje totale të ligamenteve.

Atij do i duhet të qëndrojë 6 muaj jashtë garave dhe të kryejë operacion që kushton rreth 10 milion lekë. Fatkeqësi për atletin që na ka nderuar në skenën ndërkombëtare. Më poshtë postimi i plotë i tij në rrjetin social Facebook.

“Ndonese dola i pari ne garen e “Kupes se Shqiperise”, kjo gare me coj ne demtimin me te madh te karrieres sime.

Keputje totale te ligamenteve, dhimbje e humbje e tere atyre ore stervitje intensive per tiu dhene nje rekord te ri kombetar.

Fatkeqesisht me duhet te operohem dhe rikuperimi do te zgjase disa muaj, por jam i sigurt qe do te rikthehem shume here me i forte per tiu nderuar ne kompeticione kombetare e nderkombetare.

Dua tiu falenderoj te gjithe tifozeve te shumte qe ishin ne stadium, miqve, familjes e trajnerit, qe me duartrokiten e qendruan prane meje! Nderime e respekt ndaj jush!” shkruan Izmir Smajlaj në rrjetet sociale.