Tërbuni i Pukës duket se këtë sezon në Kategorinë e Parë është abonuar me barazimet. Pukjanët ndanë një barazim të bardhë në shifrat 0-0 edhe javën e 9-të të kampionatit përballë Butrintit në Sarandë. Ky ishte edhe “x-i” i 6-të për të besuarit e Elvin Beqirit.
Një rekord ky për këtë katagori ku asnjë ekip nuk ka kaq shumë barazime në kaq javë të luajtura. Nëse mbrojtja është një “bunker” pasi ka pësuar vetëm 3 gola duke qenë më të mirët pas Bylisit kryesues që ka pësuar vetëm 1 të tillë, problemi qëndron tek sulmi.
Kjo pasi Tërbuni ka shënuar vetëm 3 gola në gjithë kampionatin. Ky fakt e bën sulmin më gë dobët të Kategorisë së Parë. Ky është edhe defekti të cilin po mundohen të riparojnë të gjithë në ambientin pukjan.
Gjithsesi Tërbuni qëndron brenda objektivave për momentin pasi mesi i artë i tabelës nuk duket të vihet në diskutim. Në mesjavë ata do presin në “Ismali Xhemali” të Pukës skuadrën e Besës. Një takim shumë i fortë për Beqirin dhe skuadrën e tij ku patjetër do kërkohet fitorja, por edhe zhbllokimi i sulmit.
Endri ÇINARI