Fitorja 3-1 ndaj Kastriotit ka rikthyer qetësinë në kampin shkodran. Mungesa e saj në tre ndeshjet e kaluara dhe ndonjë problem tjetër i lindur rrugës, kishin krijuar një klimë jo shumë entuziaste, megjithatë skuadra ia ka dalë të marrë trepikëshin, madje më lehtë nga sa e kishte menduar.

Gjithçka u zgjidh që në pjesën e parë dhe për më tepër, loja që zhvilluan kuqeblutë ka qenë shumë e mirë duke kënaqur tifozët por edhe stafin teknik. Me këtë fitore, Vllaznia është ngjitur në vendin e tretë të renditjes, por drejtuesit dhe gjithë të tjerët nuk janë të kënaqur me këtë vend.

Skuadra është ndërtuar për të pretenduar titullin kampion dhe për këtë arsye, i duhet të marrë edhe shumë fitore të tjera, për të kaluar tashmë edhe Kukësin e Tiranën. Për ta bërë këtë gjë, në rradhë të parë duhet siguruar vazhdimësia e rezultateve pozitive e për këtë arsye, ekipi shkodran e ka për detyrë të mundë edhe Laçin në ndeshjen e rradhës.

Për fat të mirë, edhe kjo sfidë do të luhet në Shkodër, pikërisht mbrëmjen e së shtunës në orën 19.45. Skuadra tashmë duket më e qetë edhe nga ana psikologjike dhe si rrjedhojë do të futet në fushë me objektivin e qartë për ta fituar ndeshjen.

Kuptohet që nuk do të jetë aspak e lehtë sepse Laçi i javëve të fundit po tregon se ka ndryshuar tërësisht nga ai i fillimit të kampionatit, por nëse Vllaznia bën lojën e saj ashtu si duhet, mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari.

Diferenca aktuale me kreun e renditjes është e madhe dhe për këtë arsye duhen rikuperuar sa më shumë pikë sepse objektivi i kuqebluve sivjet është fitimi i titullit kampion./SHKODRA-SPORT.COM/