Kategoria e Parë e futbollit do të zhvillojë sot ndeshjet e javës së 29-të. Në orën 15:00, do të zbresin në fushë 16 skuadra, për tetë duele të luftuara.
Kështu, Tërbuni do të luajë në transfertë me Pogradecin. Skuadra pukjane po lufton fort për të arritur 6 vendet e para, në mundësinë për të arritur play-off-in.
Nga ana e tij, Tërbuni vjen në këtë ndeshje me një moral të lartë, pas rezultatit pozitiv në ndeshjen e fundit ndaj Turbinës, teksa fituan ndaj tyre. Megjithatë, pukjanët kanë një test të vështirë në transfertën e Pogradecit, me liqenorët, që edhe pse renditen në vendin e 11-të, kanë treguar se javët e fundit po ngjiten hap pas hapi në tabelën e klasifikimit.
Edhe një pikë do të ishte mjaft e rëndësishme për vazhdimësinë e Tërbunit, teksa sot më tepër do të jetë një provë force me liqenorët. Ndeshja Pogradeci-Tërbuni, do të luhet ditën e sotme, në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” në Pogradec, duke nisur nga ora 15:00.
Maringlen ZHIVANI