U mobilizua sa mundi, tentoi gjithçka për gjithçka, por në fund Egnatia nuk ia doli të fitojë Superkupën përballë Partizanit.
Një gabim fatal i Alen Sherrit dhe një penallti e çuar dëm nga Fernando ndëshkuan skuadrën e Edlir Tetovës. Edhe pse rrogozhinasit dominuan ndaj të kuqve me qarkullim e topit duke krijuar edhe mundësi për shënim, ekipi i Arbër Abialiajt falë pragmatizmit që e karakterizon, ngriti në qiell për të tretën herë në histori trofeun e Superkupës. Tek Egnatia nuk e kanë bërë, dramë edhe pse zhgënjimi në sytë e futbollistëve ishte evident. Fernando u pa të lotonte kur arbitri Enea Jorgji mbylli sfidën, ndonëse lojtarët e tjerë në rrjetet sociale shkruanin: “Kokën lart djem”.
MUNGESA “MISTERIOZE” Një tjetër detaj që ra në sy ishte mosprezenca e Emiljano Mustës në finalen e Superkupës. Mbrojtësi i majtë u stërvit rregullisht një ditë para ndeshjes dhe pritej të ishte një alternativë në stolin e rezervave.
Jo vetëm që nuk ndodhi kështu, por lojtari nuk u pa as në stadiumin “Air Albania” për të ndjekur skuadrën e tij. Nga burime konfidenciale të siguruara, mësohet se Musta është përjashtuar me një afat të papërcaktuar nga trajneri Tetova për arsye disiplinore. Nuk dihen ende se cilat kanë qenë kontradiktat mes dy palëve, pasi lojtari dhe aktorët e tjerë të klubit kanë pasur një marrëdhënie korrekte. Me merkaton e janarit shumë pranë, nuk përjashtohet mundësia që palët të ndajnë rrugët pas një viti e gjysmë bashkëpunim pas kësaj “thyerje”.