Monday, July 13, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E DYTEBasania gati për një kapitull të ri, pritet bashkëpunim i rëndësishëm në...

Basania gati për një kapitull të ri, pritet bashkëpunim i rëndësishëm në prag të sezonit të ri

Shkruar nga Endri ÇINARI

Teksa numërimi mbrapsht për nisjen e sezonit 2026-27 të Kategorisë së Dytë ka filluar, te Basania po punohet intensivisht për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese. Ekipi nga Bushati do të marrë pjesë për të tretin sezon radhazi në këtë kategori, me objektivin për të vijuar rritjen e vazhdueshme dhe për të qenë një nga ekipet që synojnë të lënë gjurmë në kampionat.

Nga ajo çfarë mëson gazeta “Shkodra Sport”, në klubin e drejtuar nga presidenti Ermir Shimaj pritet të nisë një bashkëpunim i ri, i cili mund të sjellë zhvillime të rëndësishme për të ardhmen e Basanias. Momentalisht detajet mbeten konfidenciale dhe nuk janë bërë ende publike, pasi gjithçka pritet të zyrtarizohet shumë shpejt nga vetë klubi bushatas.

Megjithatë, sinjalet që vijnë janë mjaft pozitive. Një lajm i tillë përbën një motiv më shumë për një klub që prej vitesh është ndërtuar mbi sakrificën, pasionin dhe përkushtimin e drejtuesve, stafit dhe futbollistëve. Basania ka arritur të krijojë një identitet të sajin në futbollin shqiptar, duke treguar se me punë dhe organizim mund të hidhen hapa të rëndësishëm edhe pa buxhete të mëdha.

Burime pranë klubit lënë të kuptohet se një filozofi e re pune duket në horizont, me synimin për ta bërë Basanian edhe më të konsoliduar si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë sportiv. Bashkëpunimi që pritet të marrë formë mund të ndikojë pozitivisht në projektin afatgjatë të ekipit, duke krijuar kushte edhe më të mira për zhvillimin e klubit.

Ndërkohë, tifozët bushatas presin me interes njoftimin zyrtar, teksa optimizmi për sezonin e ri është në rritje. Kampionati 2026-27 pritet të sjellë sfida të forta, por edhe surpriza pozitive, ndërsa Basania synon të jetë një nga skuadrat që do të flitet gjatë për atë që do të japë në fushën e lojës. Nëse planet që po përgatiten konkretizohen, ekipi nga Bushati mund të nisë një etapë të re dhe mjaft premtuese në historinë e tij.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments