Java e dhjetë sjell një duel që pritet të jetë ndër më interesantët e këtij sezoni Vllaznia– Egnatia. Përballja mes skuadrës kryesuese dhe ndjekëses më të afërt ka aromë kryesie, rivaliteti dhe ambicie të mëdha. Nga njëra anë është tradita e kuqebluve shkodranë, që kërkojnë të ruajnë ritmin fitues, ndërsa nga ana tjetër qëndron Egnatia e fortë, e disiplinuar dhe e uritur për të konfirmuar se nuk është rastësisht mes më të mirëve.
Për skuadrën nga Rrogozhina, ky është një test i rëndësishëm që mund të tregojë realisht forcën e grupit të ndërtuar nga trajneri Edlir Tetova. Pas një fillimi të qëndrueshëm në kampionat dhe me një rendiment të lartë në të dyja fazat e lojës, Egnatia ka arritur të imponohet si një skuadër që luan futboll modern, me identitet dhe qartësi taktike.
Ndeshja në Rrogozhinë shihet si një mundësi për të matur forcat ndaj një kundërshtari që momentalisht është shembulli i konsistencës. Në prag të këtij dueli të fortë, trajneri Edlir Tetova ka folur në daljen e tij të zakonshme për mediat, teksa ka vlerësuar maksimalisht Vllazninë, por edhe duke theksuar se Egnatia nuk do të heqë dorë nga filozofia e vet e lojës. Sipas tij, përballja me shkodranët është një ndeshje e rëndësishme, por jo përcaktuese, pasi rruga drejt objektivave është ende e gjatë dhe çdo javë mbart një sfidë të re për t’u kaluar me dinjitet dhe përkushtim.
Si e vlerësoni Vllazninë si kryesuese të kampionatit?
Sigurisht është një përballje e fortë mes dy ekipeve që ndodhen në krye të renditjes. Ne e respektojmë Vllazninë si çdo kundërshtar tjetër. Është një skuadër me traditë dhe padyshim meriton vlerësimin maksimal tonin.
Në fund të fazës së parë jeni të dytët. Është një pozicion që e meritoni me atë që keni dhënë në fushë? 
Mendoj se kemi pasur mundësi të bëjmë edhe më shumë, por përderisa jemi në këtë pozicion, do të thotë që e kemi merituar. Jam i kënaqur me atë që kanë dhënë djemtë në fushë dhe me frymën që kanë treguar.
A e konsideroni si një test karakteri apo vetëm një ndeshje për pikë ndaj Vllaznisë? 
Është vetëm një ndeshje e javës së dhjetë të kampionatit. Sezoni është i gjatë përpara dhe çdo takim ka rëndësinë e vet.
A mendoni se kjo përballje direkte mund t’ju pozicionojë në krye?
Nuk mendoj se duhet të jetë ky fokusi kryesor i ynë dhe në fakt nuk është. Ne jemi të përqendruar te ajo që duhet të bëjmë në fushë dhe synimi ynë është të zhvillojmë lojën tonë.
Vllaznia është në krye dhe me një golavarazh më të mirë. Çfarë nënkupton kjo për ju? 
Mund ta themi ndryshe: është përballja mes mbrojtjes më të mirë dhe sulmit më të mirë të kampionatit. Ajo që mund të them është se nesër (sot) do të hyjmë në fushë për të dhënë më të mirën dhe për të luajtur siç dimë ne.
A do të ketë ndryshime në formacion apo strategji në varësi të kundërshtarit? 
Në fakt, nuk është se ndryshoj shumë në varësi të kundërshtarit. Ne përpiqemi gjithmonë të bëjmë lojën tonë dhe të ruajmë identitetin. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në këtë ndeshje.







