Lazio është rikthyer sërish në formën e fillim sezonit. Të besuarit e Inzaghi-t mposhtën me rezultatin e pastër 3-0 në transfertë ekipin e Sassuolo dhe ngjiten në vend të tretë në Serie A në kuotën e 52 pikëve pas 26 ndeshjesh, 1 më shumë se Interi në vend të katërt.

Strakosha si zakonisht e nisi titullar, teksa zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë duke pritur disa gola të sigurt.

Miqtë kaluan në avantazh pas 7’ minutash lojë me anë të Milinkoviç-Saviç, që dërgoi në rrjetë topin e servirur nga Anderson.

Kur u mbush gjysmë ore lojë Lazio shënoi edhe golin e dytë me anë të Immobile. Sulmuesi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke e dërguar sferën në rrjetë (31’).

Me të filluar pjesa e dytë Lazio shënoi edhe golin e qetësisë me anë të Milinkoviç-Saviç.

Mesfushori kërcen më lart se kundërshtarët pas një krosi në zonë nga Anderson duke mposhtur për herë të tretë portierin Consigli (47’).

Pas këtij episodi loja bëhet edhe më e fortë me vendasit që nuk i mbajnë nervat, fillimisht Berardi largohet me të kuq pas kartonit të dytë të verdhë (54’), ndërsa 8’ minuta më vonë edhe Lazio mbetet me 10 lojtarë pasi Marusic largohet me karton të kuq.

Minutat e mbetura nuk prodhuan më gol, pavarësisht rasteve të rrezikshme.

Në ndeshjet e tjera Fiorentina mposhti në shtëpi 1-0 Chievo-n, Sampdoria fitoi 2-1 ndaj Udinese, si dhe Verona falë dopietës të Valoti-t mundi 2-1 Torino-n. /EDS/