Analizë dhe autokritikë në kampin durrsak për humbjen e fundit. Teuta me objektiva të qartë për vazhdimësinë. Kampionët në fuqi zhgënjyen ndaj Partizanit, pasi u mposhtën 0-4 në ndeshjen e javës se 19-të të Superiores.

Teuta bëri një ndeshje për t’u harruar dhe u pa qartë që ishte më dobët sesa kundërshtari. Humbja e thellë ndaj Partizanit natyrisht që nuk mund të kalonte pa u analizuar.

Për këtë arsye, para stërvitjes së djeshme, për 45 minuta u zhvillua analiza e kësaj ndeshjeje, por edhe e situatave të krijuara. Megjithatë, nga ajo çfarë është kuptuar, secili nga pjesëtarët e skuadrës ka marrë përgjegjësitë e veta.

Dhe ajo çka është më e rëndësishmja, kanë premtuar maksimumin në ndeshjen e radhës në Kupë ndaj Skënderbeut. Përpara fillimit të seancës stafi dhe futbollistët diskutuan rreth shkaqeve të humbjes ndaj të kuqve të kryeqytetit.

Gjatë 45 minutave që ka zgjatur analiza, më shumë ka folur trajneri Arapi, i cili u ka shpjeguar edhe një herë futbollistëve situatën ku ndodhet skuadra.

Trajneri ka kërkuar nga lojtarët që të mësojë arsyet që çuan në disfatën ndaj Partizanit. Të gjithë kanë bërë autokritikë për humbjen, por nga ana tjetër është theksuar se gjithçka që po ndodh në kampin durrsak është vetëm psikologjike.

Në stërvitje skuadra u paraqit shumë mirë dhe do të mjaftonte kalimi në gjysmëfinale të Kupës për të dalë nga kjo situatë.