Mesfushori 19-vjeçar australian, Riley McGree u kthyer në protagonistin e kësaj fundjave pasi shënoi një gol të pabesueshëm për të ndihmuar Newcastle Jets në sfidën Melbourne City e vlefshme për fazën play-off të “A-League” në Australi.

McGree mund të mos ishte futbollisti më i famshëm në fushë, por goli i tij të premten në mbrëmje ishte thjesht fantastik dhe video e golit arriti të bëhej menjëherë virale duke u shpërndarë kudo.

Adoleshenti, i cili është i huazuar nga klubi belg Club Brugge pasi u largua nga Adelaide United vitin e kaluar, prodhoi në numër të rrallë në minutën e 576-të teksa skuadra e tij deri në ato momente po humbiste me rezultatin 1-0.

Pas një kombinimi të thjeshtë në hyrje të zonës me mesfushorin Ronald Vargas, në vrapim e sipër McGree e goditi topin me thembër (pak a shumë si gjuajtja e akrepit) duke e dërguar për çudinë e të gjithëve (por edhe për çudinë e vetë lojtarit ) më rrjetë për të befasuar portierin e Melbourne, Dean Bouzanis.

“O Zot i madh! A keni parë ndonjë gol më të çmendur se ky në historinë e A-League?”, – bërtiste komentatori i takimit në momentin e golit. “Është gjëja më fantastike që me kanë parë ndonjëherë sytë”.

Goli ishte shumë i ngjashëm me atë të shënuar nga Olivier Giroud me Arsenalin sezonin e kaluar ndaj Crystal Palace e që fitoi më pas çmimin “Puskas 2017”, trofeu i FIFA-s për golin më të bukur të planetit, ndërsa edhe Henrikh Mkhitaryan ka shënuar një gol me gjuajtje e akrepit teksa luante me Manchester United vitin e kaluar.

Duke folur për “Fox Sports” pas ndeshjes, McGree e pranoi se ai nuk e kishte idenë se çfarë po bënte ekzaktësisht në atë moment. “Mendoj se isha me fat, por sigurisht që u përpoqa të godas topin në çdo mënyrë në atë moment. Jam shumë i lumtur”. /EDS/