Kristal Abazaj e nisi vrullshëm takimin dhe që në minutën e parë, përfitoi nga një mosmarrëveshje mes portierit Nurkoviç dhe Mustës, për të kaluar në avantazh gjirokastritët.

Futbollisti më i ri i Anderlechtit të Belgjikës, vijoi të luftojë fort dhe në minutën e 33-të shënoi një supergol nga goditja e dënimit, duke bërë që pjesa e parë të përfundojë në avantazh të dy golave për skuadrën e Hasan Likës.

Flamurtari u zgjua në pjesën e dytë dhe rihapi takimin me anë të Stiljanovskit në minutën e 54’t ndërsa më pas krijoi edhe raste të tjera për të barazuar, por pa arritur t’ia dalë.

Minutat e mbetura ishin vërtetë spektakolare, pasi vlonjatët kërkuan me ngulm golin e barazimit, ndërsa futbollistët e Luftëtarit kundërsulmuan disa herë rrezikshëm.

Pas kësaj jave, Luftëtari blindon pozitat në vendin e 3-të, me 4 pikë më tepër se Partizani ndjekës, ndërsa Flamurtari i jep fund ëndrrës për të siguruar një vend në Europë.

Partizani zhgënjeu edhe një herë këtë javë, teksa nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Lushnjës së dorëzuar tashmë, pasi ka rënë prej javësh në Kategorinë e Parë.

Të kuqtë ‘shkelmuan’ edhe njëherë objektivat sezonalë, sepse pas humbjeve me Kukësin dhe Skënderbeun, dështojnë aty ku nuk lejohej dhe shohin Luftëtarin t’i largohet me 4 pikë diferencë.

Trajneri Ilir Gjyla mori një përgjigje mjaft pozitive nga emrat e rinj, të cilëve u besoi në këtë takim, ndërsa Dalipi kuptoi arsyen pse shumë teknikë kanë dështuar në drejtimin e Partizanit.

Për statistikë, golat u shënuan nga Pepa në minutën e 69’, me 11-metërsh, ndërsa për Partizanin barazoi Batha në minutën e 89’.