Me Edi Martinin në stol, Teuta arriti mbylljen e duhur në këtë fund kampionati me durrsakët që nën drejtimin e shkodranit morën 2 fitore në 2 ndeshje duke mundur 1-0 Skënderbeun dhe Flamurtarin 3-1 për një mbyllje të vitit që i rikthen në garën për titullin.

Dhe si çdo person që ka bërë mirë detyrat e tij fundi i vitit është koha e duhur për të marrë dhe dhuratën por duke qenë se dhuratat në futboll lidhen kryesisht me periudhën e janarit, kur hapet dhe merkato Edi Martini dhuratën më të rëndësishme mund ta marrë me ndonjë afrim cilësor për pjesën e mbetur të sezonit, sidomos në repartin e sulmit.

Dy kryesorët në këtë repart, Nikaç dhe Khalid sëbashku kanë prodhuar në total vetëm 1 gol, në 25 ndeshje të luajtura sëbashku. Malazezi shënoi në fillim të kampionatit në fitoren 3-1 ndaj Luftëtarit ndërsa ganezi ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës.

Ky i fundit madje shikohet si largimi më i mundshëm në janar, madje ditët e fundit është parë dhe në Prishtinë, teksa nga ekipi i këtij qyteti u transferua te durrsakët. Dhe në dy fitoret e fundit golat kanë mbajtur firmën e mesfushorëve, Emiljano Vila dhe Kallaku.

Ndaj për t’i dhënë Martinit një skuadër dhe më kompetitive duhet një sulm më produktiv aq më tepër që shkodrani dhe në stol në këto dy ndeshje të para ka treguar një fizionomi sulmuese dhe për të vazhduar në këtë ecuri duhet të ketë dhe lojtarët e duhur në sulm për të aplikuar idetë e tij.