Ndoshta edhe ata që nuk e kishin çuar kurrë në mend këtë sezon të dobët të Vllaznisë, pas edicionit të vjetshëm, tashmë kanë nisur ta shohin si një ngjarje reale për të marrë masat e duhura. Edhe pse ende sezoni nuk është mbyllur, masat e marra për sezonin e ardhshëm, janë ato që kanë më shumë rëndësi.

Në kushte të tilla, kuqeblutë e Vllaznisë duket se kanë bërë llogari për gjithçka. Burime të konfirmuara në klub bëjnë me dije për “Shkodra Sport”, se drejtuesit e Vllaznisë janë të përgatitur për çdo skenar të mundshëm.

Edhe nëse shkodranët nuk i arrijnë synimet e tyre, plani i klubit duket se është i ndërtuar. Në kushte të tilla, gjithnjë duke iu referuar burimeve, numri një i klubit kuqeblu, presidenti Alban Xhaferi, është i vendosur se do të mbajë në ekip të gjithë lojtarët që kanë zhvilluar një paraqitje pozitive dhe që kanë një kontratë afatgjatë me Vllazninë.

Një lëvizje kjo për të pasur të sigurt boshtin e ekipit, që do të punojë sezonin e ardhshëm për të rikthyer Vllazninë tek titulli. Pak a shumë duket sikur klubi ka idetë e qarta edhe për skenarin më të keq, por do të tentohet deri në fund të fitohet Kupa e Shqipërisë dhe synimi për arritjen e Kupave të Europës, nga ajo që do të ishte për Vllazninë mbyllja më e suksesshme e një cikli të keq.
Maringlen ZHIVANI