Matko Djarmati është shfaqur sot në konferencë për shtyp. Drejtori i Vllaznisë nuk “kapërdin” dot thashethemet e merkatos që lidhnin Sindrit Gurin me ekipin shkodran. Ai pohon se klubi ka vetëm një faqe zyrtare, ndaj të tjerave nuk duhet t’u besohet. Diçka u tha edhe për Dungën, teksa Djarmati shprehet se sot do aplikohet për vizën shqiptare.

“Më telefononi sepse të gjithë e keni numrin tim. Shikoni edhe faqen e klubit. Më vjen shumë keq për njerëzit sepse janë lajme të pabazuara. Me disa lojtarë jo vetëm që nuk kemi folur, por nuk ishin në planet tona. Nuk e kuptoj dot sesi dalin këto informacione.

Sindrit Guri? Ai luan në Belgjikë dhe të vijë në Shqipëri të luajë në të tilla kushte? Nuk është e vërtetë dhe u kërkoj ndjesë njerëzve për të tilla njerëz. Ka shumë lajme që lexojmë dhe nuk janë të vërtetë, më telefononi dhe ua jap lajmin të saktë. Ka edhe medie kryesore, që marrin lajme nga faqe interneti.

Dunga sot po aplikon për vizën shqiptare. Sot ka marrë pasaportën dhe po merr vizën. Në Kenia gjërat funksionojnë ndryshe.Shpresoj që sa më shpejt ta kemi këtu. Është i lidhur nën kontratë me klubin, por është në shitje.

Kush e dëshiron duhet të paguajë klauzolën e vendosur në kontratë. Ne mendojmë të plotësojmë çdo boshllëk që kanë lënë lojtarët e pakënaqur. Kemi liruar rrugën gjithkujt që nuk dëshironte të vazhdonte” – tha ai.