Vllaznia zhgënjeu edhe njëherë në këtë sezon në ndeshjen e fundit kundër Bylis të luajtur ditën e shtunë. Kuqeblutë në javën e 27-të të Superiores nuk shkuan më larg se barazimi 0-0 përballë Bylis brenda në Shkodër. Rezultat që lë shumë pas në garën për titull, ku tashmë Tirana dhe Partizani janë 9 pikë para shkodranëve.
Por përveç lojës që nuk po ngrihet në nivelin e duhur, e po ashtu edhe rezultatet që nuk po vijnë, Vllaznia po vuan shumë në sulm. 9 herë kampionët e vendit kanë tre ndeshje rradhazi që nuk shënojnë asnjë gol. Barazimi i fundit përballë Bylis, në shifrat e bardha 0-0 ishte ndeshja e tretë rradhazi ku Vllaznia nuk gjeti golin.
Më përpara shkodranët nuk kanë gjetur golin as në humbjen 2-0 në javën e 26-të të Superiores kundër Laçit. E po ashtu duke llogaritur edhe humbjen 1-0 në kupë kundër Partizanit janë 270 minuta pa shënuar për lojtarët shkodranë. Një shifër që nuk kënaq aspak për një skuadër që ka pretendime për trofe.
Një ‘thatësirë’ e tillë patjetër konfirmon krizën e Vllaznisë apo edhe repartit sulmues në veçanti. Në 5 ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe kupës, Vllaznia ka shënuar 2 gola në barazimet 1-1 kundër Partizanit dhe Teutës në kampionat.
Një statistikë që patjetër duhet përmirësuar shumë në javët që vjen. Ku skuadra duhet të gjejë forcat për reagim në fazën e fundit të kampionatit, ku gjithçka do bëhet shumë më e ‘nxehtë’ duke parë se çdo skuadër është në garë për objektivat e veta.
Endri ÇINARI