
Thellohet edhe më tej kriza e Vllaznisë. Ajo nuk ka arritur të fitojë as sot në ndeshjen e luajtur në “Loro Boriçi”, rezultati përfundimtar i së cilës ka qenë 0-0. Një lojë e dobët e kuqebluve, ka bërë që ata të mos fitojnë dot dhe në një situatë të tillë, me barazimin e marrë, ato kanë zbritur në vendin e nëntë në renditje në fundin e fazës së dytë të kampionatit. Ndeshja nuk ka patur shumë raste. Vetëm një në pjesën e parë, teksa Hajdari ka goditur shtyllën në minutën e 8-të të ndeshjes dhe po ashtu edhe ndonjë tentativë e dështuar e Bushiç për të shënuar, kanë qenë shumë pak për një skuadër që dëshiron të mos bjerë nga kategoria. Në fund të takimit tifozët e zemëruar kanë thërritur në kor “Canaj ik”. Ky i fundit në konferencën për shtyp të pasndeshjes, ka thënë se bashkohet me zëmërimin e tifozëve duke lënë të hapur mundësinë e largimit nëse drejtuesit e klubit e shohin të arsyeshme një gjë të tillë megjithatë për momentin ende nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. Po ashtu, në fund të takimit, gjatë futjes së futbollistëve në dhomat e zhveshjes, mesfushori kosovar i Besës Berisha ka fyer në gjuhën serbo- malazeze portierin e Vllaznisë Vujadinoviç. Pas kësaj, ka ndërhyrë Baci për të qetësuar situatën por edhe mbrojtësi kuqeblu ka marrë një goditje me grusht nga kosovari, veprim që ka sjellë pastaj në rrëmujë të vërtetë në korridor në mes futbollistëve të dy ekipeve.
© shkodrasport.com