Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 në ndeshjen e fundit të kampionatit. Kuqeblutë ishin përballë Kukësit në transfertë dje në javën e 23-të të kampionatit. Një transfertë që solli një pikë për skuadrën e Brdariç dhe një lojë të një niveli shumë të dobët nga ana e të dy skuadrave.

Por transfertat duket se nuk janë pika e fortë e Vllaznisë në këtë edicion. Kjo pasi përsa i përket ndeshjeve në transfertë këtë edicion, shkodranët kanë zhvilluar 13 të tilla. Në këtë mënyrë duke grumbulluar vetëm 15 pikë nga 39 të mundshme. Shumë pak për një ekip që pretendonte titullin kampion deri para 2-3 javësh. Gjithashtu në takimet në transfertë, 9 herë kampionët e vendit kanë një balancë totale.

Kjo pasi kanë shënuar 12 gola dhe kanë pësuar 12 të tillë. Në një renditje nëse do konsideroheshin vetëm ndeshjet në transfertë Vllaznia do ishte në vendin e 6-të. Tirana ka marrë 20 pikë në transfertë, por në vetëm 11 ndeshje të zhvilluara. E po ashtu Laçi dhe Teuta me nga 12 ndeshje në transfertë këtë edicion kanë grumbulluar nga 19 dhe 17 pikë respektivisht.

Duket se “thembra e Akilit” për kuqeblutë në këtë sezon kanë qenë pikërisht ndeshjet jashtë Shkodrës. Vllaznia fitoren e fundit jashtë “Loro Boriçit” e ka arritur në datën 31.01.2022, në javën e 18-të të kampionatit. Duel ku mundi Kastriotin në shifrat 0-1 në Kamëz. Pavarësisht se mbështetja e tifozerisë nuk ka munguar në asnjë stadium të vendit për Vllazninë, duket se futbollistët e kanë të vështirë për të marrë pikët e plota në ndeshjet që i luajnë si udhëtues.