Në faqen e Chelsea-t, një intervistë e bukur 360° me Thiago Silva, i cili me kalimin e viteve është bërë një nga qendërmbrojtësit më të fortë dhe më të vlerësuar ndonjëherë.
Megjithatë, braziliani nuk ka përjetuar vetëm momente të mira në jetën dhe karrierën e tij. Në fakt, ishte një periudhë që ai vetë e përcaktoi si “më e keqja ndonjëherë” në të cilën pothuajse ndaloi së luajturi futboll. Shumë para se të bëhej ky që është sot.
Periudha në fjalë është ajo e transferimit të huazuar në Rusi te Dinamo e Moskës nga Porto në verën e vitit 2005, shumë përpara shpërthimit që të gjithë e kujtojmë te Fluminense dhe më pas te Milan-i.
“Kam kaluar gjashtë muaj në Rusi. Ishte një nga periudhat më të këqija të jetës sime. Nuk e dija nëse do të isha në gjendje të luaja përsëri futboll”, tha Thiago Silva.
Më pas ai shpjegoi: “U transferova te Dinamo e Moskës si huazim nga Porto dhe gjatë fazës përgatitore papritmas u sëmura shumë.
“Bëra disa analiza dhe më konfirmuan se kisha tuberkuloz dhe tashmë ishte shumë i avancuar dhe për shkak të fazës së avancuar të sëmundjes, mjekët vendosën se më mirë do të ishte të qëndroja në spital për mjekim.
“Mjekët në Rusi donin të më operonin mushkëritë. Në të njëjtën kohë, nëse do ta kisha bërë këtë, e dija me siguri se nuk do të luaja më kurrë futboll”.
Prej aty, një sërë këshillash nga njerëz të afërt të tij dhe ekspertë të tjerë e shtynë atë të largohej nga spitali rus dhe të transferohej në një institucion në Portugali.
Kjo ishte pika e kthesës: “Aty qëndrova edhe tre muaj të tjerë, merrja ilaçe çdo ditë dhe dilja për shëtitje. Ishte një pritje e gjatë. Por më në fund pata mundësinë të vizitoja një specialist dhe ai më tha se duhet të qëndroja i qetë.
“I qetë?! Si mund të qëndroja i qetë? Pastaj, pas një kohe, ai tha atë që doja të dëgjoja: mund t’i kthehesha futbollit dhe të bëja ëndrrën time realitet”.
Pas atij momenti, në fakt, ne e dimë mirë se si shkoi. Fluminense, Milan sukseset, PSG dhe më pas Chelsea. Të gjithë të mbushur me fitore, trofe dhe vlerësime si një nga mbrojtësit më të mirë në botë./telesport/