Vllaznia është në rrezik dhe qëndrimi në Superiore është vënë në dyshim. Për të shpëtuar duheshin fituar të gjitha ndeshjet në shtëpi, por një ditë më parë ishte Luftëtari që mori pikët e plota në “Loro Boriçi” falë golave të shënuar nga Kristal Abazaj dhe Dejvi Bregu.

Zhgënjim i madh te tifozët, që e braktisën stadiumin që në minutën e 85-të.

Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me trajnerin Ernest Gjoka, i cili pas ndeshjes deklaroi se do të ketë një takim me drejtuesit pas asaj humbjeve që pësuan.

Sikurse ndodh zakonisht, specialistë dhe trajnerë shkodranë  japin mendimin e tyre dhe një e ka dhënë edhe tekniku Kreshnik Krepi, aktualisht në krye të Tërbunit të Pukës.

Shkodrani ka një mesazh të qartë, fillimisht për tifozët, që duhet që deri në fund të jenë sa më të shumtë në stadium, kjo pasi Vllaznia ka nevojë për ta.

Nga ana tjetër i kërkohet Bashkisë Shkodër që hyrja nga ndeshja me Laçin në “Loro Boriçi” të jetë pa bileta, si dhe në mbyllje të kampionatit urgjentisht të heqin dorë nga klubi dhe ta privatizojnë.

“Nadja e mirë miq ! Besoj se të gjithë sot janë zgjuar me mendjen tek Vllaznia e madhe e futbollit shqiptar !

Ashtu do vazhdoje e gjithë dita, duke biseduar në ambientet e ngushta shoqërore dhe në çdo status! Mendoj se nuk është koha për kritika, largime dhe braktisje!

Por të gjithë ne që komentojmë, kritikojmë, e gjithë Shkodra, të bëhemi një dhe të shkojmë në çdo ndeshje dhe të mbushim stadiumin.

Të jemi mbështetje për të gjithë ato djem që na përfaqësojnë. VLLAZNIA nuk bie nga kategoria, nuk duhet të ekzistojë ky mentalitet në mendjen e asnjërit!

I bëj thirrje drejtuesve të Vllaznisë, që hyrja në stadium të jetë pa bileta deri në fund të këtij sezoni dhe gjithashtu të heqin dorë nga menaxhimi i Klubit Vllaznia, që ka nevoje emergjente të privatizohet. Forca VLLAZNIA”, shkruan Krepi. /EDS/