I zhvendosur në Shkodër që në gjysmën e parë të gushtit, Thomas Brdariç nuk e ka lënë për asnjë ditë Shqipërinë, duke vijuar ta udhëheqë Vllazninë e tij drejt vendit të parë në renditjen e Kategorisë Superiore, me 37 pikë të grumbulluara në dy fazat e para të këtij sezoni, 6 pikë të shkëputur nga ndjekësja më e afërt, Partizani, por edhe me vendin e siguruar në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Deri më tani, ai ka një bilanc prej 14 fitoresh, 4 barazimesh dhe 3 humbjesh në 21 ndeshje gjithsej në kampionat dhe Kupë, ku skuadra e tij shënuar mesatarisht dy gola për ndeshje, 42 dhe ka pësuar vetëm 11.

Teksa ai hap dyert e shtëpisë së tij për kameran e RTSH Sport, 46-vjeçari mbetet i përqendruar tek puna që bën, edhe kur jep përshtypjet e tij për qytetin e Shkodrën dhe nisjen e punës me Vllazninë

– Si e keni gjetur qytetin e Shkodrës?

– Mua më pëlqen këtu, të punoj dhe të shoh shumë lumturi në fytyrat e njerëzve këtu, edhe sepse tani të gjithë na njohin dhe e shohin punën tonë dhe unë jam i kënaqur me situatën.

– Sa e vështirë ishte të nisje punën këtu?

– Siç ju thashë, në fillim, askush nuk e kishte mendjen tek ne, por tani na kanë të gjithë në fokus dhe mendoj se e kemi merituar kaq e thjeshtë është.

– Ju keni qenë një lojtar i njohur, pastaj u tërhoqët dhe u bëtë trajner dhe tanimë duket se po rigjeni famën, sepse një gazetë prestigjioze si “Bild”-i ju ka kushtuar vëmendje dhe ju ka intervistuar së fundmi. Si po e shijoni këtë moment dhe a e shihni suksesin tek Vllaznia si një bazë për të synuar një klub më të madh?

– Së pari, pas karrierës profesioniste si futboll nis ndërgjegjësimi për të qenë konkurrues edhe më pas, sepse ne e filluam nga zeroja, nuk kishim as edhe një fushë të denjë për të punuar, dhe dua të them që jam mirënjohës që jam pjesë e rindërtimit të këtij klubi të ndërmarrë nga donatori Alban Xhaferi, nga kryebashkiakja Voltana Ademi, dhe me mbështetjen e drejtorit sportiv, Matko Djarmati, dhe stafit tim teknik, ne kemi gjetur marrëdhënien e duhur për të nisur këtë bashkëpunim. Dhe pas një gjysmë viti, ne kemi arritur të marrim vendimet e duhura, por na duhet të vazhdojmë, të mbetemi të përqendruar tek gjërat kryesore.

Shkodra & ushqimi

– Si është jeta juaj këtu në Shkodër, pra, çfarë bëni kur nuk merreni me futboll?

– Është shumë e thjeshtë, punojmë fort çdo ditë dhe e shijojmë jetën, por edhe çlodhemi… Po, po kalojmë një kohë të bukur me shumë njerëz këtu, kemi marrëdhënie të mira, edhe sepse njerëzit këtu në Shkodër janë mjaft të sjellshëm, miqësorë dhe sigurisht që po e shijoj këtë.

– Gatuani, apo zakonisht preferoni të hani jashtë…?

– Varet sesi ndjehemi dhe se çfarë kemi në frigorifer në vakte të caktuara. Ne kemi mundësi të hamë jashtë në restorantin e prenotuar për ne nga klubi, që mundëson edhe katering… Por, po ngandonjëherë gatuajmë edhe këtu së bashku, gjithnjë me synimin e të ngrënit shëndetshëm.

– A flini herët apo vonë?

– Varet, nëse kemi apo ndeshje, nëse është para ndeshjes apo pas ndeshjes, sepse fokusi ynë këtu është futbolli dhe unë kam shumë gjëra për të bërë dhe truri im është gjithmonë i ngarkuar, me shumë ide, me strategji apo me çështje për të zgjidhur dhe, ngandonjëherë, unë fle më mirë dhe herët e ngandonjëherë jo.

Marrëdhënia me të birin

– Tanimë ju keni edhe djalin tuaj këtu… a ju ka kushtëzuar ai në trajtimin që i bëni atij dhe në zgjedhjet që bëni?

– Para së gjithash, ai është im bir, por, kur punojmë së bashku, ai është një numër, pra është si të gjithë lojtarët e tjerë. Unë jam këtu për ta mbështetur atë, ashtu siç jam këtu për të mbështetur të gjithë lojtarët e mi, dhe në stërvitje i trajtoj të gjithë në mënyrë të barabartë.

Jashtë stërvitjes, ne kemi shumë diskutime së bashku, sepse futbolli profesionist kërkon shumë punë të qenë i suksesshëm dhe duhet të bësh gjërat e duhura. Por unë jam këtu për të patur një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë lojtarët e mi, jam këtu për të punuar, për t’i dhënë gjithkujt mbështetjen që i duhet për të rritur nivelin e tyre.