Para pak ditësh, Thomas Brdariç është kthyer përsëri në pankinë. Megjithatë, nëse mendoni se eksperienca e tij me Vllazninë në futbollin shqiptar, e ka ndihmuar të bëjë një hap cilësor në karrierë, gaboheni. Trajneri gjerman është shumë pranë emërimit në stolin e një klubi gjysmëprofesionist në Gjermani, bashkë me djalin e tij, Tim.

Brdariç pritet që në ditët e ardhshme të prezantohet si trajneri i ri i skuadrës së SV Straelen në Ligën Rajonale Perëndimore në Gjermani, kategoria e katërt e piramidës së futbollit gjerman. Një klub që cilësohet gjysmë-profesionist dhe ku objektivi madhor, do të jetë qëndrimi në gjysmën e sipërme të tabelës së klasifikimit.

Një vendim i çuditshëm po të llogaritësh se në eksperiencën me Vllazninë, ai fitoi një Kupë Shqipërie dhe arriti të kalonte ture në Conference League. Megjithatë me sa duket, kaq nuk mjafton në CV për të bërë hapa para edhe në futbollin gjerman, prandaj kjo ka detyruar trajnerin Brdariç që ta nisë përsëri nga kategoritë e ulëta në këtë vend.

Ashtu si te Vllaznia, në këtë aventurë pritet ta shoqërojë edhe djali i tij, Tim, i cili do të jetë pjesë e skuadrës, që do të drejtojë babai i tij i famshëm si futbollist në Gjermani, por me sa duket jo edhe aq si trajner.
Maringlen ZHIVANI