Vllaznia e ka marrë shumë seriozisht merkaton e kësaj vere. Pas zyrtarizimit të Lorik Boshnjakut, ata janë duke punuar për ta forcuar skuadrë edhe me lojtarë të tjerë cilësorë.

kështu, Vasil Shkurtaj është futbollist i lirë dhe pas tij, tashmë janë vendosur disa klube të Abissnet Superiore. Kështu, edhe Vllaznia është një nga këto klube. “Shkodra Sport” mëson se në garë për Shkurtajn janë futur edhe kuqeblutë, e kjo konfirmohet nga burime pranë lojtarit.

Edhe në të shkuarën, shkodranët e kanë tentuar sulmuesin, madje duke i bërë një ofertë të mirë në aspektin financiar. Ndërkohë që, tashmë nga sa mësohet mes palëve ka pasur bisedime, por akoma nuk ka asgjë konkrete mes tyre për një dakordësi të mundshme.

Në gjysmën e fundit të sezonit, Shkurtaj luajti vetëm 376 minuta në 9 ndeshje me Kukësin, teksa shënoi edhe një gol ndaj Skënderbeut, pikërisht në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Megjithatë, mbetet për t’u parë në vijim se si do të shkojnë bisedimet mes Vllaznisë dhe Vasil Shkurtajt.
Maringlen ZHIVANI