Vllaznia luan nesër me Partizanin në transfertë. Dueli i “Air Albania” merr jetë në 16:45 dhe vlen për javën e 21 të Superligës. Për këtë duel ka folur edhe trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric. Kroato-gjermani ka kërkuar përqëndrim dhe kujdes nga Skuka.

“Ndeshje në moment të mirë – Kemi shumë dëshirë për t’u përballur në këtë ndeshje të fortë me Partizanin. Kemi dëshirë dhe uri për të shkaktuar humbjen e tyre.

Grupi – Është diçka e mirë, kemi lojtarë të aftë për të luajtur. Rëndësi ka që veç anës fizike, të jenë mirë edhe nga ana mentale.

Golat me Teutën – Nesër ndeshja është interesante, jemi të aftë për të shënuar gola. Duhet të gjejmë balancë të mirë mes sulmit dhe mbrojtjes. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme për ne.

Nesër vetëm për fitore? Varet çdo gjë nga ne. Të dyja ndeshjet e shkuara kanë qenë të ngushta. Nesër diferencën e bëjnë detajet. Të mësohemi me gjërat thelbësore. Kanë marrë sulmuesin e ri Skuka, që ndeshjet e fundit ka shënuar gola. Të jemi të përqëndruar.

Vllaznia U-19 mposhti moshatarët e Partizanit – Sigurisht, është indicie e mirë për ne. Gjë e mirë për të rinjtë, i përgëzojmë sepse jemi një ekip. Kanë shumë rëndësi për ne, ata na shohin si shembuj dhe ne kemi sytë te ata. Do bëjmë më të mirën për të dalë me pikë të plota nesër.

Ultrasit – Tifozët tanë janë një ndihmë e madhe për lojtarët dhe ne, i falenderoj për mbështetjen dhe dua që nesër ta festoj me ta fitoren pas ndeshjes”, tha Brdaric.