Në fillim të sezonit, Thomas Brdaric në krye të skuadrës së Vllaznisë shihej me skepticizëm, projekti shkodran gjithashtu. Prurjet e reja mendohej se nuk do të sillnin dicka të mirë për kuqeblutë, dhe fakti që në krye ishte një gjerman pa ndonjë përvojë të madhe në stol çoi deri në paragjykim të aftësive të tij.
Pa i dhënë dhe mundësinë që të tregohej në fushë, nëse realisht kishte qenë zgjedhja e duhur e klubit. Fusha deri tani ka treguar se Brdaric është i duhuri, dhe jo vetëm për shkak të pikëve të marra, por dhe për faktin se Vllaznia është ekipi që ka shënuar më tepër deri në këto momente në Superiore.
Mbi të gjitha humbja me Kukësin në shtëpi nuk e coi skuadrën në zhgënjim por kuqeblutë reaguan dhe pas fitores me Bylisin erdhi mbi të gjitha një fitore me Kastriotin, që ishin i vetmi ekip që në 6 javë nuk kishin pësuar asnjë humbje.
Dhe çfarë fitore madje, në 45 minuta, me një lojë shumë të bukur, gola spektakolarë dhe konfirmim se kjo Vllazni nuk është rastësisht në krye, e Brdaric e meriton të jetë timonieri i saj.
Nëse Vllaznia deri në këto çaste ka qenë një surprizë, si një skuadër e ndërtuar rishtazi, dhe vetë Brdaric po rezulton javë pas jave si një surprizë në krye të këtij ekipi.