Kupa e Shqipërisë në volejboll për meshkuj do të zhvillojë pasditen e së enjtes ndeshjet gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Sipas shortit të përcaktuar, Vllaznia do të ndeshet me ekipin e Farkës, ndeshje që do të luhet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit në orën 18.00. Këto dy skuadra u ndeshën me njëra- tjetrën edhe tre ditë më parë, por këtë herë për kampionatit dhe shkodranët humbën me rezultatin 3-1 në një takim ku ata nuk arritën dot të dalin në lojën e tyre. Megjithatë, në këtë sfidë gjysmëfinale të Kupës, pritet që llogaritë të bëhen ndryshe dhe Vllaznia të fitojë, për të siguruar kështu edhe daljen në finale. Djemtë e drejtuar nga trajneri Mark Kroqi natyrisht që do të ketë nxjerrë mësimet e duhura nga humbja e para tre ditëve. Me ekipin tashmë është bashkuar edhe volejbollisti i talentuar Anton Qafarena që siç dihet ka firmosur një kontratë paraprake me një klub në Gjermani, megjithatë deri në fund të këtij sezoni do të jetë pjesë e kuqebluve. Prania e tij në skuadër sigurisht që është diçka shumë pozitive por nuk mjafton. Nëse nuk ka një vlerësim maksimal nga të gjithë pjestarët e tij, do të jetë e vështirë për ta mundur Farkën. Megjithatë tek Vllaznia ka besim se do ia dalin për të qenë ata në finalen qe do te zhvillohet diten e premte po ne Tirane.

© shkodrasport.com