Vllaznia në volejboll për meshkuj “korigjon” gabimin e bërë katër ditë më parë në ndeshjen e kampionatit dhe pasditen e sotme, ka arritur të fitojë ndaj Farka Volej, këtë herë në ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Rezultati ka qenë sërish i njëjtë: 3-1, por këtë herë pra në favor të kuqebluve. Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” është pritur me interes në kampin shkodran. Megjithatë ekipi i drejtuar nga trajneri Mark Kroqi nuk e ka nisur mirë ndeshjen. Seti i parë është fituar nga Farka me shifrat 25-18. Kjo krijoi përshtypjen se gjërat do vështirësoheshin për shkodranët por nuk do të ndodhte kështu. Në setin e dytë gjithçka ndryshon. Vllaznia “zgjohet” duke fituar atë 25-20 dhe kësisoj shifrat e seteve barazohen. Në të tretin është përsëri ajo që udhëheq vazhdimisht dhe përsëri fitore e saj, këtë herë me rezultatin 25-22. Seti i katërt do t’i jepte edhe më shumë zemër volejbollistëve kuqeblu dhe ata arrijnë ta fitojnë edhe atë 25-17 dhe krejt ndeshjen me shifrat 3-1 duke siguruar në këtë mënyrë daljen në finalen e nesërme. Ajo do të luhet po në “Asllan Rusi” në orën 18.00 dhe përballë saj do të jetë ekipi më i fortë, ai i Partizanit që natyrisht është favoriti kryesor për fitimin e këtij trofeu megjithatë Vllaznia duhet të tregojë veten në këtë ndeshje dhe kuptohet, duhet të tentojë deri në fund që të shpallet ajo fituese e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon.

© shkodrasport.com