Deklarata e bërë në median e shkruar ditën e sotme nga ana e presidentit të Laçit se Vllaznia do të fitojë të shtunën në Gjirokastër, madje duke gjetur edhe atë se kush do të ishte autori i golit të fitores, pikërisht kapiteni Shtubina, natyrisht që ka çuditur të gjithë në Shkodër. Skuadra e tij po vihet në shënjestër nga të gjitha drejtimet tashmë. Pak ditë më parë u përfol shumë për tolerim në ndeshjen ndaj Skënderbeut ndërsa tani thuhet se ajo do të fitojë në transfertën me Luftëtarin. Pikërisht në lidhje me deklaratën e sotme të presidentit të Laçit Pashk Laska, ka reaguar administratori i KF Vllaznia Astrit Gjyrezi i cili është shprehur: “Në lidhje me shkrimin e sot në një nga gazetat e përditshme, mbarë opinioni sportiv dhe ai mediatik duke përfshirë dhe presidentin e Laçit, e kanë të qartë se KF Vllaznia nuk është pjesë e asnjë “marrëveshje” apo “grupimi” në këtë garë sportive. Përkundrazi, siç është pasqyruar nga media vizive dhe ajo e shkruar, si dhe nga opinione të ndryshme, ka qenë VLLAZNIA e dëmtuar nga gjykimi i ndeshjeve. Ne do të shkojmë për të luajtur në Gjirokastër si gjithmonë ndershmërisht dhe objektivi i vetëm është marrja e një rezultat pozitiv”.

© shkodrasport.com