Kush do të fitojë në ndeshjen e së shtunës në mes këtyre dy ekipeve, ka hedhur një hap të rëndësishëm për arritjen e objektivit kryesor: qëndrimit në Superligë. Luftëtari dhe Vllaznia jo më kot e konsiderojnë këtë përballje si shumë të rëndësishme sepse kalendari i mëtejshme mund të dhurojë të papritura të pakëndshme për to. Diferenca aktuale prej një pike që ato kanë me njëra- tjetrën sigurisht që favorizon vendasit, edhe për faktin se ndeshja do të luhet në Gjirokastër. Por në fakt, për shkodranët të luajturit në këtë fushë asnjëherë nuk ka qenë një problem. Përkundrazi, ata shpeshherë kanë dalë fitues nga ky qytet. Këtë e tregon më së miri edhe bilanci i përballjeve në mes tyre. Në 74 ndeshje të luajtura deri më tani, Vllaznia ka arritur të fitojë më shumë se gjysmën e tyre, plot 45 ndeshje. Luftëtari ndërkohë ka fituar vetëm 16 takime përballë shkodranëve ndërsa në barazim mes këtyre dy ekipeve janë mbyllur 13 takime. Edhe golaverazhi flet dukshëm për kuqeblutë që sot drejtohen nga Armando Cungu, i cili në karrierën e tij si futbollist ka luajtur edhe në Gjirokastër. Skuadra e tij aktuale ka shënuar plot 127 gola në portën e Luftëtarit në vite ndërsa kjo e fundit ka shënuar vetëm 56 gola në portën e Vllaznisë. Megjithatë, në raste të tilla zakonisht statistikat nuk vlejnë. Në takimin e së shtunës gjithçka mund të ndodhë dhe padyshim që pritet të zhvillohet një takim i bukur, ashtu si ai i fazës së dytë në Shkodër ku LUftëtari fitoi me meritë me rezultatin 3-2. Shkodranët duan të marrin revanshin e asaj humbje dhe jo më kot, “i thirrin” edhe historisë, për të patur sukses në këtë qytet sërish ashtu siç kanë bërë shumë herë të tjera.

© shkodrasport.com