Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 1-0 me Andorrën në “Air Albania”. Sfida që vlente për xhirron e fundit të kualifikueseve të Botërorit Katar 2022 nuk ka qenë e lehtë për kuqezinjtë, që i janë falur një goli të Çekiçit nga pika e bardhë e penalltisë.

Ndeshja ka nisur mirë për tanët, që kanë shpërdoruar disa raste. Në fraksionin e parë edhe miqtë kishin shanset e tyre, teksa do duhej një penallti për tri pikë. Shqipëria i mbyll kualifikueset në vendin e tretë në grupin I, pa pasur mundësinë për fazën finale të Botërorit. Vuajtja për këto tri pikë vendos një rekord për tanët, që e mbyllin me 18 pikë si asnjëherë më parë në kualifikuese. Pas ndeshjes foli edhe gardiani kuqezi, Thomas Strakosha.

“Jam i lumtur kur luaj me Kombëtaren. Në Angli nuk shkoi mirë. Ndeshja sot nuk ishte në nivelin tonë. Andorra kishte shanset e saj dhe duhet ta mbyllnim më shpejt. Bravo djemve për 18 pikët. E kemi pasur të vështirë të pësojmë, tani na shënojnë më shumë. Më mirë të kemi mbrojte më të fortë sesa sulm më të mirë.

Peng? Nuk kishim asgjë më pak se Polonia për vendin e dytë. Peng kam sfidën me Anglinë, hymë në fushë me frikë si skuadër. Nuk e di pse luajtëm kaq keq në Uembli. Do e mbaj mend gjithë jetën.

E ardhmja? Asgjë nuk është e vërtetë. Menaxheri mendon për merkaton, unë dua të luaj. E ndiej që më mungon fusha, dua vendin si titullar me Lazion, jam profesionist.

Vendimtar sot? Të them të drejtën nuk e mendoja se do prisja sot disa raste deçizive, për vetë ekipin që kishim. Lojtarët tanë kanë kualitet. Taktikisht duket që kemi nevojë për një lidhje si grup, sepse po pësojmë shumë”, tha Strakosha pas ndeshjes./newsport/