Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, ka qenë mjaft i lumtur pas triumfit në Kupën e Mbretit përballë Osasunës të shtunën në mbrëmje.

“Jam shumë i kënaqur, sepse çdo herë që fitohet një titull është një arsye për të qenë i lumtur. Të gjithë trofetë arrihen me shumë mund dhe sakrifica”, tha presidenti, i cili foli për të gjitha aktualitetet dhe konfirmoi vazhdimësinë e Ançelotit në krye të skuadrës edhe në sezonin e ardhshëm.

ANÇELOTI – “Nuk dua të dëgjoj më të flitet për këtë temë. Ai ka një kontratë me Realin e Madridit dhe ne jemi të lumtur”.

KUPA – “Ka qenë një rrugëtim sfidues për ne. E nisëm me Kaserenjon që na hapi shumë punë. Më pas kaluam me radhë Vijarrealin, Atletikon, Barcelonën dhe në finale Osasunën që bëri një paraqitje të madhe. Ndaj ky trofe vlen shumë”.

MANÇESTER SITI – “Fitorja në Kupë na jep forcë, por nuk kemi kohë për të pushuar. Ata që bëjnë kalendarin duhet ta shohin mirë”.