Pak ditë përpara ndeshjes Vllaznia- Luftëtari, ai që e ka “nxehur” atmosferën ka qenë trajneri i ekipit gjirokastrit Nevil Dede. Duke u prononcuar për mediat, ai ka deklaruar: “Vllaznia do të kërkojë fitoren me patjetër ndaj nesh. Ajo është një skuadër që kërkon gjithnjë rezultatin dhe ambjenti sportiv aty po ushtron. Këtë trysni brenda kësaj skuadre, ne duhet ta shfrytëzojmë sepse jemi më të qetë. Vlerat e ekipeve janë të barabarta por jo në investime. Për ne do kishte qenë më mirë të kishim luajtur me tifozë në “Loro Boriçi” sepse tifozët shkodranë janë shumë objektiv dhe kur kundërshtari luan mirë, e duartrokasin. Jemi ekip me personalitet dhe një numër i madh tifozësh në shkallët e stadiumit, do na karikonte me shumë. Sa për 4 shkodranët që luajnë në rradhët e Luftëtarit, jam i bindur se kanë për të bërë më të mirën sepse do të duan të nderojnë në rradhë të parë veten dhe pastaj skuadrën ku luajnë”. Dede me këtë deklaratë ka dashur të motivojë edhe më shumë lojtarët e tij. Ndoshta është e vërtetë që Vllaznia është më në presion por në Shkodër ende nuk kemi dëgjuar një deklaratë se ndeshja duhet fituar patjetër. Pastaj është paksa absurde të mendosh se për Luftëtarin do kishte qenë më mirë po të ishte luajtur me tifozë në “Loro Boriçi”. Megjithatë kjo është strategjia që Dede ka ndjekur edhe për t’i matur pulsin shkodranëve. Ai edhe nëse humbet me skuadrën e tij, do jetë i justifikuar, madje deklaratën e tij të pasndeshjes, mund t’ua zbardhnim që sot.
www.shkodrasport.com