Federata Botërore e Peshëngritjes ka marrë vendimin e pezullimit të Shqipërisë pas tre rasteve të dopingut për sportistët e saj gjatë këtij viti. Vendimi thuhet të jetë marrë prej kohësh nga kjo Federatë por nuk është bërë publik nga drejtuesit e Federatës sonë ngaqë vendimi përfundimtar për masën e dënimit do jepet nga Bordi Ekzekutiv i Federatës Botërore në mbledhjen e tij të datës 15 shtator. Rastet me doping të Ilir Sulit, Erkand Qerimajt dhe Hysen Pulakut, e kanë bërë punë të kryer dënimin e Federatës tonë sepse ky është rregulli. Nëse gjenden tre sportistë brenda një viti, rrjedhimisht vjen pezullimi si dhe një gjobë e majme financiare. Në këtë mënyrë pas një periudhë të mirë shoqëruar edhe me rezultate pozitive, tashmë do vijë dënimi. Masa që pritet duhet të shërbejë si një mësim i mirë për drejtuesit e Federatës tonë për të rregulluar shumë gjëra në punën e tyre sepse rezultatet nuk duhet të vijnë përmes rrugëve të paligjshme por me punë dhe mbështetje të madhe nga ana e saj për sportistët e trajnerët.
www.shkodrasport.com