Fundi i javës së 24-të të Abissnet Superiore, sheh përsëri Vllazninë të renditet në vendin e katërt, me 14 pikë distancë larg kreut të tabelës së klasifikimit. Për tifozët e cilësdo skuadre pa pretendime, kjo mund të cilësohet një arritje mëse e mirë, në këtë pjesë të sezonit.

Megjithatë në Shkodër, kjo situatë po përjetohet si një disfatë e madhe, aq sa pas barazimit të djeshëm ndaj Kukësit, rrjetet sociale janë mbushur me komente të tifozëve kundër skuadrës dhe drejtuesve.

Me Vllazninë e ndërtuar për fitimin e titullit, tifozët kishin filluar të ëndërronin në fillim të këtij sezoni një titull kampion, që u mungon prej dekadash në Shkodër.

Megjithatë, barazimi ndaj Kukësit, ka bërë që diferenca me Tiranën të mbetet në vendnumëro dhe skuadra tashmë ka filluar të shohë si objektiv vetëm Europën.

Në faqën zyrtare të klubit të Vllaznisë apo edhe në grupe të tjera në Facebook, janë me dhjetëra komentet, që janë shfaqur pas barazimit me kuksianët, të cilët kritikojnë lojtarët, drejtuesit, stafin dhe këdo tjetër, që është përfshirë në projektin e Vllaznisë.

Kështu, ka pasur kritika për situatën, në të cilën, gjendet skuadra, që ka 12 barazime në këtë sezon dhe ka një diferencë prej 14 pikësh nga kreu i klasifikimit, teksa sipas tyre, çështja e titullit kampion është një “rrugë e paarritshme” edhe në këtë sezon.

Ajo që ka shqetësuar dhe lënë më të pakënaqur tifozët, është fakti se Vllaznia dje ndaj Kukësit, nuk shfaqi të paktën lojën që kërkohet prej saj. Sipas tyre, për ekipin është e papranueshme të shfaqet në këtë mënyrë pa identitetin që kërkojnë tifozët, të cilët janë të gatshëm të falin humbjet, por jo paraqitjet pa “ngjyrë”.

Një situatë që duhet të shqetësojë padyshim shumë në klubin shkodran, i cili deri tani, nuk ka qenë fort i qetë, sa i përket trysnisë së tifozëve. Drejtuesit e Vllaznisë duhet të bëjnë llogaritë edhe me këtë faktor të tifozëve shkodranë nga tani e tutje, duke ia bërë edhe më të vështirë javët e mbetura të këtij sezoni.

Maringlen ZHIVANI