Italia ka fituar në transfertë ndaj Moldavisë, por atmosfera te të kaltrit nuk ka qenë aspak festive. Kjo, pasi tifozët e Italisë kanë qenë të pakënaqur me suksesin 2-0 të ekipit të tyre dhe kënduan vazhdimisht kore kundër lojtarëve të cilët kishin shkuar t’i ndiqnin deri në Kishinjevin e largët.

Sidomos pas minutës së 73-të, nga tribunat nisën kore “shkoni të punoni”, në formë proteste ndaj lojtarëve pasi rezultati ishte ende 0-0.

“Unë kam parë një Itali që ka luajtur dhe ata nuk kanë gjuajtur kurrë në portë. Nuk ekzistojnë ndeshje të lehta, nëse keni mbetur ende te 11-1 (e Norvegjisë ndaj Moldavisë), nuk është problemi im. Unë jam shumë i kënaqur, ecim përpara.

Përkundrazi është një turp kontestimi i tifozëve, më vjen keq për atë që kam dëgjuar sot. Nuk është momenti që t’u thuash lojtarëve të shkojnë të punojnë. Duhet të qëndrojmë të bashkuar, pasi skuadra po lufton në fushë me vështirësitë dhe të dëgjosh 500 tifozë që të kontestojnë jashtë fushe, unë nuk e pranoj”, tha Gatuzo i inatosur për RAI pas ndeshjes.