Era e ndryshimit në futbollin lezhjan ka nisur të japë rezultatet e para. Edhe pse është ende fillimi i sezonit, sinjalet janë mëse pozitive. Besëlidhja e trajnerit Elvis Plori duket se ka hyrë në një rrugë të sigurt drejt objektivit madhor, ngjitjes në Kategorinë e Parë.

Në pesë javët e para të kampionatit, skuadra lezhjane ka qenë në lartësinë e pritshmërive. Me 13 pikë, të siguruara nga 4 fitore dhe 1 barazim, Besëlidhja mban vendin e parë, ndërsa golavarazhi 8-2. Në qytet ndihet qartë entuziazmi i rikthyer.

Skuadra po tërheq gjithnjë e më shumë tifozë, të cilët janë rikthyer në shkallët e stadiumit dhe madje ndjekin ekipin edhe në ndeshjet në transfertë. Megjithatë, askush në klub nuk dëshiron të euforizohet. Plori dhe stafi e dinë mirë se rruga për në Kategorinë e Parë është e gjatë dhe kërkon vigjilencë, përkushtim dhe stabilitet në çdo javë.

Konkurrenca është e fortë, dhe skuadrat ndjekëse janë gati të përfitojnë nga çdo hap fals i lezhjanëve. Java e gjashtë mund të kthehet në një moment kyç. Besëlidhja do të luajë në transfertë ndaj Veleçikut, ndeshje ku synohet vetëm fitorja. Një rezultat pozitiv do ta mbante skuadrën në krye dhe do t’i jepte qetësi për vazhdimësinë.

Ndërkohë, sfida mes dy ndjekësve kryesorë, Shirokës dhe Sopotit, e planifikuar për të shtunën në Shkodër, mund të shkojë në favor të lezhjanëve nëse përfundon në barazim. Aktualisht, Shiroka ndodhet një pikë pas Besëlidhjes, ndërsa Sopoti, me një ndeshje më pak, është tre pikë larg.