Nuk ka vetëm gëzim në kualifikimin e Tiranës për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Në ‘Loro Boriçi’, aty ku në sfidën e fundit të edicionit të kaluar pësuan rënien për herë të parë në kategorinë inferiore, jo gjithçka ka shkuar më së miri për bardheblutë. Fundi i ndeshjes është shoqëruar me konfrontime midis lojtarëve, por që mesa duket është zgjeruar edhe më tej. Klubi i Tiranës ka bërë një deklaratë publike duke denoncuar dhunën e Policisë së Shtetit ndaj futbollistëve të kryeqytetas, pikërisht në korridoret e stadiumit.
“KF Tirana dënon publikisht dhunën fizike dhe verbale të ushtruar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë në Shkodër. Në përfundim të ndeshjes Vllaznia-Tirana, në ambientet e brendshme të stadiumit “Loro Boriçi”, policia ka përdorur shkopinj gome kundër lojtarëve të Tiranës. Jo vetëm dhunë fizike, por edhe dhunë verbale për një situatë të dalë nga konteksti sportiv prej tensionit artificial që policia krijoi. Debatet mes lojtarëve të dy skuadrave në përfundim të ndeshjes, brenda kufijve sportive, kanë sjellë më pas sjelljen e turpshme të policisë, të cilën KF Tirana e denoncon publikisht”, thuhej në komunikatën e klubit bardheblu.
Mesa duket rivaliteti i shëndoshë sportiv që ka shoqëruar për dekada këtë sfidë, të etiketuar si derbi i Shqipërisë, i ka lënë vendin dhunës, që tashmë në mënyrë të pakuptimtë vjen nga ata që duhet ta shmangin atë.