Tirana pritet të afrojë sërish edhe disa futbollistë të tjerë në këtë merkato. Në një kohë kur në dyshim të madh për të qëndruar janë Albano Aleksi dhe Jocelin Behiratche, të cilët nuk e kanë vendosur ende të ardhmen, drejtuesit e Tiranës i kanë hedhur sytë nga Shkodra për të përforcuar skuadrën.

Kështu, kur me klubin bardheblu ka firmosur Kaina Nunesh, që më parë ka luajtur me Vllazninë, Tirana po kërkon edhe futbollistë të tjerë që sezonin e fundit luajtën me kuqeblutë. Fjala është për dy mesfushorët Fjoart Jonuzi dhe Arsid Kruja.

Kjo dyshe thuhet se po kërkohet me ngulm nga Tefik Osmani dhe Orges Shehi, me drejtuesit e Tiranës që dëshirojnë shumë t’i kenë në gjirin e tyre këta dy futbollistë. Megjithatë, se sa mund të realizohen këto lëvizje, mbetet për t’u parë dhe zbuluar vetëm në vazhdim.

Në fakt, Tirana ishte shumë pranë firmës edhe me ish-kapitenin e Vllaznisë, Erdenis Gurishta, por ky i fundit zgjodhi një aventurë jashtë Shqipërie. Poashtu, skuadra bardheblu ka kërkuar edhe mbrojtësin shkodran të Bylisit, Aleksandër Trumçi, i cili ka kontratë edhe një vit tjetër në Ballsh.

Ndërkohë që, në sulm përveç Kaina Nunesh që ka firmosur tashmë, Tirana është shumë pranë edhe Liridon Latifit, i cili mund të luajë në të majtë të sulmit tek bardheblutë dhe momentalisht është një futbollist i lirë në treg.

Realisht, të gjithë këta futbollistë si kapiteni Gurishta, Latifi, Jonuzi, Nunesh dhe Kruja duhet të mbaheshin në Shkodër dhe jo të dalin si “okazion” në treg për klubet e tjera të Superiores, pasi bëhet fjalë për lojtarë të rëndësishëm të ekipit kuqeblu në sezonin e kaluar, por mesa duket drejtuesit e Vllaznisë po preferojnë një plan dhe strategji ndryshe.
Maringlen ZHIVANI