Vesel Limaj pritet të jetë lojtari më i ri i skuadrës së Tiranës. Burime të besueshme bëjnë me dije për Newsport.al, që mesfushori i njohur ka mbërritur sot në kryeqytet. Ai do të ketë një takim kokë më kokë me presidentin Refik Halili për të vendosur për të ardhmen e tij.

Mësohet se ka pasur një akord në parim para disa ditësh, megjithatë Limaj u ka kërkuar edhe pak kohë drejtuesve për shkak të ofertave nga jashtë vendit. Mirëpo së fundmi, një nga mesfushorët më të mirë të elitës sonë, duket se është joshur nga oferta e bërë nga 25-herë kampionët e vendit.

Gjasat janë që gjithçka të konkretizohet me sukses. Siç duket 24-vjeçari nuk do të largohet edhe këtë sezon nga Shqipëria, ku pas një aventurë pozitive me Kukësin, është gati të veshë fanelën e skuadrës së Tiranës.

Zhvillime të reja priten në vazhdim. Në këtë periudhë të nxehtë merkatoje në klubin kryeqytetas po punohet në fshehtësi të plotë, ndërsa mësohet se janë piketuar disa lojtarë cilësorë, me të cilët kanë nisur tratativat prej kohësh. /Newsport/