Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, duket se do të humbë edhe ndeshjen ndaj Tiranës. U mendua se mbrojtësi i djathtë e kishte kaluar plotësisht dëmtimin dhe ky ishte një lajm pozitiv për trajnerin Brdariç, por stërvitja e djeshme nuk ka shkuar aspak mirë.

Gurishta është futur me grupin duke u stërvitur me intensitet maksimal, por ka ndierë dhimbje në këmbë dhe për të mos agravuar situatën, e ka lënë stërvitjen në mes. Lojtari ka dëshirë të madhe për të qenë pjesë e ekipit ndaj Tiranës, por tashmë mund të rrezikojë shumë.

Gjithsesi, stafi ka marrë masa për të bërë zëvendësimin më të mirë të mundshëm në këtë sfidë. Ndaj Kukësit ishte titullar Fangaj në krahun e djathtë, ndërsa afër tij edhe Kruja. Mirëpo, duket se skema do të ndryshojë dhe gjasat janë që Brdariç të përdorë tre qendërmbrojtës nga minuta e parë: Adilin, Dianjen dhe Bulatoviç.

Ndërsa nga krahët pritet të veprojnë Kruja dhe Hakaj. Të paktën kjo është provuar në seancën e djeshme. Në mesfushë do të rreshtohen sërish Krymi dhe Heriç në qendër, teksa mungesë e sigurt për shkak dëmtimi është Jonuzi. Me skemën 3-4-3, sulmi do të përbëhet nga Gjurgjeviç dhe Latifi nga krahët, ndërsa Aralica në majë.

Kandidat potencial për një vend në formacion është edhe mesfushori boshnjak, Zinedin Mustedanagiç. Ndërkohë, Brdariç nuk do të llogarisë në këtë takim ndaj Tiranës as sulmuesit Viktor da Silva dhe Ardit Hoxhaj.

I pari nuk e ka kaluar ende dëmtimin që pësoi në ndeshjen ndaj Partizanit tri javë më parë, ndërsa vlonjati po shkon drejt riaftësimit të plotë, por ka pak gjasa të marrë minuta në ndeshjen e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi”.