Afrim Tole, ish-mbrojtësi i Partiza nit, por edhe dy ekipeve të tjera të kryeqytetit, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” ka analizuar këtë sezon të ekipit të kuq.

Tole shprehet se “demat” duhet të ndryshojnë në themel dhe të nisin një projekt të ri, të bazuar te të rinjtë. Sipas tij, Vllaznia është një rival shumë i fortë, por Partizani ka eksperiencën e duhur për të kapur finalen.

“E kam thënë edhe më parë se një trajneri duhet t’i lësh kohë, sidomos në një ekip si Partizani, që ka në gjendje lojtarë të mirë. Shpresoj të arrijnë të shkojnë në kompeticionet europiane. Nëse e kalojnë Vllazninë, jam i sigurt se e marrin Kupën. Që nga nisja e sezonit, Partizani nuk ka përmirësuar thuajse asgjë dhe prej kësaj unë jam i mendimit se aty duhet ndërruar nga i pari, tek i fundit.

Sa i takon ndeshjes gjysmefinale te Kupes, të dyja vijnë me probleme. Partizani dihet, ndërsa Vllaznia ka pasur oshilacione dhe telashe financiare. Shkodranët kanë grup shumë të mirë, kanë ndërthurje brezash në skuadër dhe lojtarë që marrin përgjegjësi në situata të vështira.

Është një përballje shumë e vështirë dhe Partizani ka pasur gjithmonë probleme me Vllazninë. Nëse Vllaznia nuk do të kishte probleme ekonomike, me siguri do të ishte më mirë. Megjithatë, mendoj se Partizani ka eksperiencë që ta kalojë këtë situatë dhe mendoj se do të jetë në finale.