Sulmuesi kryesor I Vllaznisë, kroati Tomislav Bushiç është I bindur se skuadra shkodrane do të marrë pikë në ndeshjen e së dieleës me Besën në Kavajë. Për të, kuqeblutë duhet të synojnë fitoren në këtë ndeshje sepse vetëm kështu mund të arrihet rezultati I duhur sepse nëse do shkojnë për t’u mbrojtur, mund ta pësojnë. “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Duhet patjetër të kërkojmë fitoren dhe nëse do marrim edhe barazimin jemi në rregull. Por, kurrsesi nuk duhet të luajmë për barazim se mund ta pësojmë”-ka thënë ai.

Bushiç ka bërë një paraqitje të mirë në këtë kampionat duke shënuar 13 gola deri tani, duke qenë njëkohësisht një nga shënuesit më të mirë të kampionatit. Sytë e të gjithëve në kampin shkodran janë të përqendruara tek ai megjithatë vetë kroati nuk mendon se e rëndësishme është që ai të shënojë. Sipas tij, e rëndësishme është që Vllaznia të shënojë, pa patur shumë rëndësi se kush do ta dërgojë topin në rrjetë. “S’ka rëndësi se kush mund të shënojë. E rëndësishme është që skuadra të kapë rezultatin që dëshiron”- është shprehur kroati.Ndeshja Besa- Vllaznia do të luhet të dielën në orën 17.00 në stadiumin e Kavajës dhe konsiderohet shumë përcaktuese për fatin e skuadrës që do të jetë e katërta e cila do bjerë nga kategoria. Kuqebluve u duhet medoemos marrja e të paktën një pikë në këtë ndeshje.

Gjergj KOLA