Pasditen e sotme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit është luajtur ndeshja e dytë finale e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes ekipeve të Tiranës dhe Vllaznisë. Kjo e fundit ka luajtur më mirë dhe ka fituar 95-79 duke bërë kështu që numri i ndeshjeve finale të shkojë në 2-0 për shkodranët. Me këtë fitore të sotme Vllaznia duket shumë pranë titullit kampion. Ndeshja e sotme ka qenë e dominuar nga fillimi e deri në fund nga basketbollistët e trajnerit Gjeçaj ku ka rënë në sy forma e shkëlqyer e Gjokoviç dhe Sarajlijës që sëbashku kanë shënuar plot 68 pikë në këtë takim.

Epërsia e miqve nga Shkodra ka ardhur duke u thelluar derisa në fund të takimit është arritur diferenca prej 16 pikësh. Për t’u theksuar është fakti se në periodën e fundit trajneri Gjeçaj ka aktivizuar edhe të gjithë lojtarët e stolit megjithatë fitorja nuk është vënë asnjëherë në dyshim. Të martën ndërkohë në orën 19.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të zhvillohet finalja e tretë në mes këtyre dy ekipeve. Në rast fitoreje të Vllaznisë ajo do shpallet kampione menjëherë pa patur nevojë të luhet ndeshja e katërt dhe e pestë. Dhe gjasat janë që të ndodhë kështu.
Gjergj KOLA