Atletika shkodrane vazhdon të dhurojë trofe. Ditën e djeshme, ekipi i meshkujve për të rritur i Vllaznisë është shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë për vitin 2014 duke treguar dominim absolut ndaj ekipeve të tjera pjesmarrëse në këtë aktivitet. Sipas kryetrajnerit të ekipit shkodran Albert Marashi, ndonëse Vllaznia nuk ka marrë pjesë me një ekip të plotë, ajo ka arritur të zërë vendin e parë duke treguar një formë shumë të mirë sportiv. “Nuk kemi patur një pjesmarrje të plotë të ekipit tonë megjithatë triumfuan dhe kjo tregon për nivelin e sportistëve tanë dhe punën e mirë që bëhet tek Vllaznia”- ka thënë Marashi për www.shkodrasport.com. Përveç vendit të parë si ekip, Vllaznia ka patur në rradhët e saj edhe sportistin më të mirë të aktivitetit- Izmir Smajlajn. Për trajnerin Marashi, kjo nuk është një risi sepse ai po i tregon vazhdimisht vlerat e veta. Njëkohësisht, kryetrajneri i ekipit shkodran ka garantuar se edhe në kampionat Vllaznia do ta thotë ndjeshëm fjalën e saj duke u shpallur kampione e vendit. “Izmir Smajlaj e tregoi veten edhe në këtë garë duke u shpallur sportisti më i mirë i aktivitetit. Sa i takon ekipit tonë, objektivi i rradhës është padyshim titulli kampion. Jam i bindur se edhe sivjet do të jemi sërish kampionë të vendit”- ka thënë ai.Vllaznia në atletikë kësisoj po vazhdon të dominojë në Shqipëri. Pasi u shpall pak ditë më parë kampione e vendit me të rinjtë, tashmë erdhi edhe trofeu i Kupës së Shqipërisë me të rriturit dhe në muajt e ardhshëm me siguri që në Shkodër do vijë edhe titulli kampion.
Gjergj KOLA